Afera “Partizani”, Berisha dhe dhëndri do pyeten nga SPAK në 23 dhe 25 janar

Ish kryeministri Berisha do ketë shansin të dalë nga shtëpia në 23 janar, pas 24 ditësh ngujimi. Jo për shëtitje dhe as për të shkuar në Parlament sikurse dhe kishte kërkuar, por për t’u pyetur nga  SPAK. Prokurorët e njësisë antikorrupsion  do marrin në pyetje Berishën në 23 janar, ndërsa në 25 janar do jetë radha e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për t’u pyetur, të dy për të njëjtën çështje, atë të privatizimit të ish kompleksit “Partizani”. Ndërkohë avokatët e zotit Berisha do kërkojnë që atij t’i hiqet masa e “arrestit shtëpiak” dhe të ketë mundësi të shkojë në seancat plenare. Në 30 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit në Shqipëri ka konfirmuar masën e kërkuar nga SPAK, duke caktuar ‘arrest shtëpie’ me mbikëqyrje policore për ish-kryeministrin Sali Berisha. Kjo masë nga SPAK erdhi pasi më herët, ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e Gjykatës, atë të detyrimit me paraqitje para policisë gjyqësore.  Me këtë masë, Berishë i lejohet të komunikojë vetëm me personat që bashkëjeton në shtëpi. Ndërkohë, Berisha ka pretenduar se kërkesa e SPAK ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën pasi kërkesa nuk ishte aprovuar nga Parlamentit për t’i hequr atij imunitetin. Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie ‘arrest shtëpie’. Mbështetës të zotit Berisha mblidhen çdo natë poshtë banesës së tij në protestë duke kërkuar lirimin e tij nga kjo masë shtrënguese. Vazhdimisht Berisha i ka cilësuar akuzat ndaj tij të pabaza dhe të motivuara politikisht.

Foto arkiv/ Berisha duke pershendetur protestuesit nga dritarja e baneses

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *